
2010-07-29 - 11:45:25
Sekuestrohen 600 kg drogë, 3 shqiptarë në pranga
Një sasi prej afro 600 kilogramë marihuanë e ardhur nga Shqipëria
është sekuestruar dy ditë më parë në brigjet salentineze nga Guardia di Financa e Leces.
Ndërsa dje janë arrestuar tre shqiptarë të cilët dyshohen se janë anëtarë të organizatës kriminale e cila ka bërë të mundur transportimin e drogës nga Shqipëria nëpërmjet mjeteve të lundrimit në brigjet e Leces.
Policia thotë se mëngjesin e së martës 3 shqiptarët kishin braktisur mallin e shtrenjtë në breg dhe ishin larguar në drejtim të paditur. Pas një ndjekjeje të gjatë tre shqiptarët janë ndaluar dhe më pas arrestuar në superstradën Lece- Brindizi.
Tre shqiptarët kishin kaluar natën në një fshat afër vendit ku kishin zbarkuar drogën, afër brigjeve të San Kataldos në Lece dhe të mërkurën paradite ishin nisur drejt Italisë së Veriut.
Në operacionin e arrestimit morën pjesë një numër i madh patrullash policore. Media italiane bën të ditur se të arrestuarit dispononin dhe armë, por nuk bëhen publikë emrat e shqiptarëve. /BalkanWeb/




