
2010-07-28 - 10:46:25
Largohen nga puna 11 mijë punonjës
Kriza ekonomike ka prekur industrinë e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve në vendin tonë. Jo pak, por rreth 11 mijë punonjës të kësaj industrie janë pushuar
nga puna gjatë vitit 2009. Këtë e pohoi dje në Mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës, drejtori Ekzekutiv i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, Bardhi Sejdarasi, i cili theksoi se kjo industri është në krizë dhe se kërkojnë lehtësime nga shteti.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës morën pjesë edhe ministri i Punës, Spiro Ksera, përfaqësues të sindikatave, përfaqësues të biznesit, përfaqësues të ministrisë së Financave dhe ministrisë së Arsimit.
Kriza Me këpucët që qepin çdo ditë dhe veshjet e ndryshme siguronin disa të ardhura minimale për të mbijetuar, por kriza ekonomike duket se po lë pa punë edhe këtë kategori punonjësish, pasi mijëra vet[ janë pushuar nga puna. Këtë e pohon përfaqësuesi Bardh Sejdarasi, i cili thekson se nuk kanë gjetur bashkëpunimin e qeverisë për të zbutur këtë krizë.
"Mund të them se janë larguar nga puna rreth 11 mijë punonjës së industrisë së prodhimit të këpucëve dhe veshjeve (fasonëve) brenda një viti. Duhet të dini se kjo ka lidhje të drejtpërdrejtë me krizën ekonomike, pasi këto industri nuk po i mbajnë dot punonjësit edhe për shkak të mungesës së lehtësirave nga qeveria", pohon Bardhi Sejdarasi.
"Eksportet, në fund të vitit 2009, kanë pësuar një rënie prej 15.4% në krahasim me vitin 2008, ndërkohë që Importet kanë pësuar një rënie prej 3.5% (të dhënat në Euro)", pohon Sejdarasi. Industria Ministri i Punës, Spiro Ksera, thekson se industria fasoniste ka një peshë të madhe në tregun vendas dhe konsiderohet si punëdhënësi më i madh në sektorin e manifakturimit në vend, për këtë arsye, diskutimi në Këshillin Kombëtar të Punës rreth shqetësimeve dhe propozimeve të tyre vlerësohet shumë i rëndësishëm.
Ndërsa përfaqësuesi i kësaj industrie, Bardh Sejdari, pohon se këpucët janë malli më i rëndësishëm i eksporteve shqiptare dhe vendi ynë renditet i gjashti në botë për nga sasia e këpucëve të eksportuara. "Rreth një e treta e të punësuarve në sektorin e përpunimit aktiv, ose rreth 30 mijë vetë u përkasin fabrikave të këpucëve.
Kjo industri importon zakonisht lëndë të parë nga Italia dhe eksporton produkte të gatshme ose 98 për qind të gatshme sipas kërkesave specifike të porositësit. Avantazhi kryesor i Shqipërisë në këtë fushë është afërsia me tregun europian dhe krahu i lirë i punës", pohon Sejdarasi, duke shpjeguar se e gjithë industria është e organizuar me material porositësi (fason), me drejtim tregjet e huaja.
Sipas tij, rreth 70,6 % e këtij prodhimi shkon në tregjet e Italisë dhe Greqisë, si dhe në disa vende të BE-së, kryesisht Gjermani, Austri, etj. Kohët e fundit, pas shfaqjes së krizës, sektori i është drejtuar edhe tregjeve të Francës, Danimarkës, Zvicrës, etj.
Sejdarasi: 60 % e punonjësve kanë kërkuar kredi konsumatore
Blerje të produkteve ushqimore me listë, kredi bankare konsumatore dhe borxhe për të mbijetuar. Këto janë disa nga problemet e punonjësve të industrisë së prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, të cilët për shkak të varfërisë janë të detyruar të përdorin këto rrugë për të mbijetuar.
Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, Bardhi Sejdarasi, shpjegon se nga studimi i mbështetur nga SOROS dhe USAID mbi këtë kategori punonjësish rezultoi se për shkak të krizës ekonomike rreth 60 % e punonjësve kanë kërkuar kredi konsumatore, por bankat u kanë dhënë vetëm 15 % prej tyre, pasi ata nuk kanë mundur të justifikojnë me të ardhurat e tyre shlyerjen e kredisë.
Po sipas këtij studimi, 28 % e punonjësve pohojnë se marrin borxhe për të siguruar shpenzimet e tyre. Gjithashtu, edhe lista nëpër dyqane për këtë kategori punonjësish është prezent, pasi 33 % e tyre theksojnë se blejnë në dyqane me listë. Pjesa më e madhe janë pesimist për situatën, pasi kriza i ka kapur pothuajse të gjithë ndaj plot 77 % e punonjësve pohojnë se standardi i jetesës ka rënë.
"Dua të theksoj se problemi më i madh i punonjësve të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve është se ata duan të largohen nga vendi. Jo pak, por 66 % e tyre pohojnë se sapo të liberalizohen vizat do të largohen nga vendi për të punuar jashtë shtetit. Kjo është për të ardhur keq, pasi kjo industri e madhe do të preket akoma më rëndë", pohon Sejdarasi, duke shtuar se nëse qeveria nuk bënë përpjekje për lehtësira, si për taksat, pagesën e sigurimeve për punonjësit e rinj etj., kjo industri do të marrë fund./Eglantina Bardhi




