
2010-07-28 - 10:29:31
Gorani: Status special për veriun e Kosovës
Dukagjin Gorani, këshilltar politik i kryeministrit Hashim Thaçi, në një intervistë për të përditshmen serbe “Blic”, ka thënë se Qeveria e Kosovës është e gatshme që të hyjë
në bisedime me Beogradin për të gjetur një zgjidhje për serbët në veri të Kosovës dhe se një prej mundësive është një status special “brenda kufijve të Kosovës”.
Qeveria e Serbisë as nuk e ka pranuar e as nuk e ka refuzuar propozimin dhe është e mendimit se negociatat për Kosovën mund të fillojnë vetëm pas debatit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i kanë thënë gazetës burime të larta qeveritare në kushte anonimiteti.
“Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Thaçi e kanë përsëritur në disa raste gatishmërinë se në bisedime, në negociata dhe përmes një marrëveshjeje të arrihet një zgjidhje optimale për serbët e veriut të Kosovës. Tani është e vështirë të thuhet se cila do të jetë ajo zgjidhje, por me atë deklaratë, Thaçi tha qartazi se ka një varg zgjidhjesh të mundshme, e një prej atyre edhe statusi special”, ka thënë Gorani për “Blic”.
Mirëpo, ai insiston në qëndrimin se “komuniteti serb në veri të Kosovës duhet ta pranojë realitetin”.
Sa i përket deklaratës së ambasadorit Dell, dhënë “Zërit të Amerikës” në gjuhën serbe, se veriut të Kosovës i ofrohet autonomi, gjë të cilën Ambasada Amerikane të martën, në orët e mbrëmjes e demantoi, “Blic” thotë se ka marrë konfirmim nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë se deklarata e parë e Dell, ajo dhënë “Zërit të Amerikës”, është deklarata origjinale.
“"Kam dëgjuar kryeministrin Thaçi që të paktën njëherë publikisht, ndërsa disa herë në biseda private, të thotë se është i gatshëm që në 'mënyrë kreative" të shqyrtojë mënyrat nën të cilat mund të respektohet natyra speciale e veriut të Kosovës, në kufijtë e vetë shtetit të Kosovës, duke pasur parasysh se në Evropën e shekullit 21 ka vend për një status special, përkatësisht, ndoshta statusi është fjalë e gabuar - për natyrën e posaçme të rajonit brenda shteteve të pavarura”, kishte thënë Dell, sipas “Zërit të Amerikës”.
Zëvendësministrja e jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku, ditë më parë tha se SHBA-të dhe vendet më me ndikim të BE-së janë në përgatitje të një rezolute që do ta mbështes mendimin e GJND-së për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Gazeta “Blic” ka marrë konfirmimin për këtë lajm nga Ambasada amerikane në Beograd dhe nga Departamenti i Shtetit./z.e




