logo_ssm.jpg

Homazh Dr. Arqile Botit, një shembull human


2010-07-27 - 11:47:04

Homazh Dr. Arqile Botit, një shembull human

Vdekja e Dr. Arqilesë na tronditi thellë, si humbje e një mjeku të shquar dhe e një mirëbërësi të madh. Duke biseduar rreth kësaj ngjarjeje të trishtuar, vendosëm 

me Petron, i cili ka pasur njohje të hershme dhe miqësi të gjatë me doktorin e mirënjohur, të shprehim në një shkrim në Shekulli dhimbjen tonë dhe një vlerësim sado të përmbledhur të punës së tij vetëmohuese më se 40-vjeçare.



Petroja e ka njohur Arqilenë që kur ai ishte djalë shkolle në Gjimnazin e Gjirokastrës, ku vetë pat' dhënë matematikë për një farë kohe, i dërguar aty si i internuar.

I kishte bërë përshtypje inteligjenca dhe çiltërsia e tij, si dhe zelli i madh për mësim. Në dekadat e mëvonshme ata e kultivuan edhe më tej miqësinë në Tiranë. Tani Arqilea ishte një mjek shumë aktiv. Ai interesohej për gjithçka, brenda dhe jashtë mjekësisë, dhe bënte kërkime në lëmin e barnave popullore.

Rastet për t'u takuar vinin shpesh edhe nga nevojtarët e ndryshëm, që i kërkonin Petros ndërmjetësim për te doktori.

"Ishte një gëzim i madh - thotë ai - të gjeje tek ai, jo vetëm një pritje të ngrohtë krahëhapur, por shpesh edhe zgjidhje aty për aty të problemeve që shtronte sëmundja e tyre. Ai kishte një dhunti të rrallë: shërimin dhe një veti tjetër humane, dashuri për njerëzit dhe shpërfillje për paranë!



Me një fjalë, ai kishte gjetur një terapeutikë që koincidonte në të gjitha me porosinë ungjillore: Falas tu dha - falas jepe!" Menjëherë pas këtyre shërimeve të njëpasnjëshme, rreth emrit të tij u thur legjenda. U përhap bindja se mes nesh kishte mbërritur një mjek çudibërës.

Me ngut drejt tij u nisën kolona familjarësh nga të gjitha krahinat, që i çonin të sëmurët e tyre me çdo mjet, natën, ditën, në verë e në dimër.



Atëherë, Dr. Arqilea la qytetin dhe vajti vetë në fshat! Kjo shpërngulje iu bë e detyrueshme mendojmë për disa arsye: për të pasur më shumë kohë për të sëmurët, për të shmangur rivalitetet e kota në qytet (të cilin më se një herë na e kishte quajtur "të prishur") për të mundësuar një eksperimentim më të gjerë me barnat popullore dhe së fundi, për të bërë punë profilaktike rast për rast me foshnjat, duke shkuar më këmbë në skajet më të largëta në raste epidemish.



Të gjithëve na kujtohet ajo kohë e "apogjeut" le të themi të karrierës së tij, që koincidoi edhe me shkujdesjen e tij totale për veshjen e për look-un e vet. Emri i tij ishte në gojën e të gjithëve si një formulë tërëshëronjëse. Në shtëpinë time kisha një libërth të shkruar me dorë prej gjyshit, që përmbante një numër të madh recetash popullore të njëqind e ca viteve më parë.



Menduam që patjetër duhej t`ia jepnim, jo vetëm si shenjë falënderimi për ato që bënte, por edhe për ta pasur ndihmë. Ime motër, Tefta, e takoi apostafat dhe ia dorëzoi. Pas disa kohe, ai më tha që kishte përfituar mjaft prej atij libërthi, por - edhe këtu kuptova se sa i thelluar ishte në atë lëmë - ai shtoi se disa prej tyre i njihte prej kohësh!



Mund të themi pra që Dr. Arqilea u bë mjeshtri më i shquar i një tradite të trashëguar brez pas brezi ndër xheranjtë e Jugut (Malëshovë, Bual e më gjerë), sepse ai dinte t`ia bashkonte tërë atë dije popullore bagazhit të profesionistit, të cilin e pasuronte përditë me lexime në revista e libra.



Dr. Arqile Boti u afirmua si një personalitet i shquar i Mjekësisë, që i jepte zgjidhje çështjeve dhe njëherazi mbeti një mjek i thjeshtë, që mund ta afronte kushdo, duke na dhënë kështu edhe modelin e qytetarit. Fama e tij diti t`i rezistojë çdo rreziku pikërisht falë kësaj mburoje, thjeshtësisë së tij.



Dhimbja për humbjen e tij duhet të jetë ndier thellë, megjithëse nuk pati fort jehonë në shtyp. Ai u mungon të gjithëve, ndaj ndjesia e një boshllëku në reagimin publik, nuk është reale...



Megjithatë, nuk duhet të shkojmë me hamendje. Shoqëria duhet të bëjë diçka konkrete, që njerëzit, e sidomos mjekët, të mos e mbajnë veprën e tij si diçka që ndodh rrallë, dhe kështu të bashkohet ai me të ngjashmit e tij në një sferë ideale, duke mos na ngacmuar më me kohë...



Më e pakta që mund të bëjë shteti nën nxitjen e shoqërisë është një shkollë mjekësore o spital me emrin e tij dhe me bustin e tij tek hyrja.
Le të na frymëzojë shembulli i tij human në kohëra./Petro Zheji dhe Lekë Tasi
 

 

Moti

Valuta

NJOFTIM


2010-08-30 - 17:34:22

Maqedonia kundër projektrezolutës serbe

Maqedonia nuk do ta përkrahë projekt-rezolutën e Serbisë në OKB

Read more text

Kulture


2010-09-01 - 19:41:33

Autocensura shkatërron letërsinë

Ismail Kadare, në një bisedë të shkurtër me Luke Sampson për Financial Times

Read more text

Shëndetësi


2010-09-01 - 19:57:20

Çfarë është higjiena e mirë orale?

Higjiena e mirë orale nënkupton një gojë

Read more text

VIP


2010-08-30 - 17:52:42

Shtypi iranian e quan Brunin prostitutë

Shtypi iranian sulmon me fjale fyese dhe shumë të rënda zonjën

Read more text