logo_ssm.jpg

Guximi për të ndryshuar


2010-07-23 - 12:41:12

Guximi për të ndryshuar

Gëzim PODGORICA/ Tema e ristrukturimeve në qeveri, pas disa dorëheqjeve

të imponuara me sa duket ka ridalë përsëri në  skenë. 

Pas dy vitesh koalicioni me  shumë probleme, me ballafaqime  jo fort të lehta, ndryshimi i kabinetit qeveritar sigurisht është krejt normal. Problemi nuk qëndron shumë tek ky lloj normaliteti, se sa tek funksionaliteti dhe efektiviteti i këtij ndryshimi të pritshëm e të domosdoshëm.


Një varg ministrash si nga radhët e  VMRO-DPMNE-se po edhe të BDI –së janë si në shënjestrën e shtypit, ashtu edhe të publikut, duke i  tejkaluar prej kohësh ditët e qëndrimit në postet e tyre. Problemi është se a do guxohet tek ndryshimi i mjaft emrave, që kanë komprometuar si qeverisjen, ashtu edhe profilet politike të partive përkatëse ? Kjo përbën atë që  është jo vetëm racionalja e sjelljes së pritshme politike, por edhe përcaktimi i shpresës se  ndryshimi i  disa emrave të lodhur do të sjellë edhe ndryshim kursi e  profili. 


Partia shqiptare ne pushtet  paralel me ndryshimin e domosdoshëm të disa emrave , ka të nevojshëm edhe përcaktimin e rregullave më precize të lojës për vitet e mbetura në bashkëqeverisje. Kjo e dyta është edhe më e rëndësishme, edhe më përcaktuese dhe që i zgjidh problemet e mbetura pezull të shqiptarëve, që kalojnë e ngushëllohen vetëm me premtime pa fund.

Por për artikulimin e tyre, në kushtet e krijuara  duhen edhe aktorë të rinj, të pakomprometuar, larg prapaskenave e humoreve bajate,  me vizion dhe të gatshëm për të  vlerësuar më shumë se postin, barrën që marrin përsipër.  Gjasat siç duket deri tani  janë të vogla që kjo të ndodhë.  Prej kohësh mjediset  ku kalkulohen  shpesh herë politikat e kuadrit, kanë filluar të vizitohen nga personazhet amfibë të përhershëm , që ngjanë me “strategët politikë” të pazëvendësueshëm.

Disa emra të lodhur të politikës, bajatë edhe për publikun,  më mëkate jo të vogla e të identifikuara  menjëherë po bien në sy me shpalosjen e “heroizmave” dhe  të “dijenive” të tyre të pafund,  pa të cilët qeveria sipas tyre merr fund. 

Këtu qëndron guximi që duhet të shprehë lidershipi  aktual politik i BDI-së. Forcën për t’u ndarë njëherë e mirë nga këto tipa që u rëndojnë mbi duar çantat me projekte të mëdha, por që në fakt vetëm kanë sjellë pështjellim dhe  kanë dëmtuar  kohezionin e këtij formacioni politik. 

Nuk është tani momenti i gjetur për të riaktivizuar akuza, por është momenti për të identifikuar personazhet që sigurojnë rritjen e  imazhit  dhe që nuk janë peng i së kaluarës, nuk janë peng i disa qarqeve të caktuara, ku  sa herë që tentojnë për të kaluar gardhin, ju  tunden para syve  shumë e shumë mëkate që  nuk mund t’i pastrojnë më. 

Gati një dekadë më parë ka përfunduar lufta e UCK-së dhe  është nënshkruar Marrëveshja e Ohrit.  Ndonjë nga ministrat e sotëm të BDI-së që hiqet si strategu i prapavijës së  luftës dhe  ideologu i implementimit të Marrëveshjes  ka dëshmuar dështim të dukshëm. A thua edhe pas gati një dekade do të ketë guximin që të thirret përsëri në këtë hipotekë  të së kaluarës. 

Që edhe ashtu është e dyshimtë, apo do të ketë guximin për t’u tërhequr e kërkuar ndonjë vend ambasadori !!!
Momenti është që kjo punë nuk ka pse të lihet në vullnetin e këtyre tipave, por  duhet t’u thuhet me plot guxim se : Koha mbaroi, tani  po hapet një periudhë tjetër !

Nuk kanë më personazhe të sklerotizuar politikë po edhe administrativë  fuqinë dhe motivet, po edhe kredencialet morale për t’u ballafaquar me sfidat e reja. 
Qengjat e butë shqiptarë të qeverisë Gruevski jo vetëm  që nuk kanë zgjidhur asgjë, por përkundrazi i kanë thelluar problemet.

Ndaj në këtë moment kur është imperativ ndryshimi i përmbajtjes qeverisëse nga ana e shqiptarëve, shfaqet po kaq urgjente edhe ndryshimi i  shumë emrave, që  jo vetëm kanë ulur ndjeshëm profilin politik të partisë, por edhe kanë  vënë në pikëpyetje serioze të ardhmen e saj. 
Momenti i riformatimit qeverisës është një shans që  kërkon guximin e nevojshëm për t’u administruar pozitivisht e për të  treguar se ky subjekt ka ende energji e forcë për të korrigjuar veten e për t’u ndarë nga  personazhe që e kanë komprometuar rëndë atë.
 

 

Moti

Valuta

NJOFTIM


2010-08-30 - 17:34:22

Maqedonia kundër projektrezolutës serbe

Maqedonia nuk do ta përkrahë projekt-rezolutën e Serbisë në OKB

Read more text

Kulture


2010-09-01 - 19:41:33

Autocensura shkatërron letërsinë

Ismail Kadare, në një bisedë të shkurtër me Luke Sampson për Financial Times

Read more text

Shëndetësi


2010-09-01 - 19:57:20

Çfarë është higjiena e mirë orale?

Higjiena e mirë orale nënkupton një gojë

Read more text

VIP


2010-08-30 - 17:52:42

Shtypi iranian e quan Brunin prostitutë

Shtypi iranian sulmon me fjale fyese dhe shumë të rënda zonjën

Read more text