
2010-07-23 - 12:30:01
Vapë afrikane në Shqipëri, fresku nis të dielën
Vendi është pushtuar prej ditësh nga i nxehti “afrikan”, ndërsa meterologët parashikojnë se do të ketë freskkim dhe zbritje të tyre duke nisur nga
e diela dhe të hënën. Reshje shiu priten në zonat malore dhe ato lindore të vendit.
Nga të dhënat sinoptike në agjencinë e lajmeve BalkanWeb, dje vendi jonë përjetoi një ditë të nxehtë me temperatura relativisht të larta në gjithë qytetet. Por, edhe sot pritet qe temperaturat maksimale në kryeqytet do të shënojnë 35-36 gradë, ndërsa ato mininale 23 gradë celcius.
Temperaturat e larta do të shënohen përkatësisht në në Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, me 2-3 gradë më pak në zonat bregdetare kurse temperatura më e freskët do të vazhdojë të regjistrohet në Korcë, vetëm 28 gradë Celsius.
Nga të dhënat sinoptike në agjencinë e lajmeve BalkanWeb, mësohet se ditën e sotme temperaturat mesatare në zonat malore variojnë nga 33-20 gradë, në zonat e ulëta 34-21 dhe në ato bregdetare 33-20 gradë Celsius.
Temperaturat në qytetet kryesore për ditën e sotme do të jenë: Tirana 35 gradë me e larta dhe 20 më e ulëta, Durrës 34-21, Shkodër 32-21, Vlorë 31-23, Kukës 34-19, Elbasan 34-20, Fier 34-21, Korcë 29-14, Gjirokastër 31-20 dhe Sarandë 33-23 grade Celsius.
Temperaturat të njëjta do të vazhdojnë dhe nesër, e shtunë, ndërsa pritet që ditën e dielë të bien me 2-3 gradë Celsius, dhe përkatësisht me 3-4 gradë të tjera ditën e hënë. Të hënën vranësira dhe priten reshje që do të bien në zonat malore dhe ato lindore.
E ndërsa temperaturat e nxehta vazhdojne, mjekët japin këshilla, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit, se si të mbrohen nga i nxehti.
Sipas mjekëve, njerëzit duhet të rrinë në vende me gjelbërim në periudhën më të freskët të ditës. Të përdoren kapele për të mbrojtur kokën dhe qafën. Të përdoret dietë ushqimore me zarzavate të përpunuara mirë termikisht (të gatuara me vaj misri ose ulliri). Të evitohet përdorimi i yndyrave shtazore (gjalpë, dhjamë) dhe kripës së tepërt.
Mjekët këshillojnë gjithashtu që të moshuarit dhe të vegjlit të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të evitohet dalja në orët e pikut, 11:00-16:00. Sipas tyre, gjatë ditëve të nxehta duhet të konsumohet sa më shumë ujë dhe lëngje. /d.b/b.w




