logo_ssm.jpg

Hilmi Haradinaj: Dikush po do ta eliminojë Ramushin


2010-07-22 - 11:24:01

Hilmi Haradinaj: Dikush po do ta eliminojë Ramushin

“Jam lodh”, ka thënë Hilmi Haradinaj, pak orë pas arrestimit të të birit, Ramushit, nën akuzën për krime lufte

për të cilat qe shpallur i pafajshëm dy vjet më parë.


“Jam lodh qitash, s’po muna me bajt ma”, vazhdon Hilmiu, i cili ka varrosur tre djem, dy të rënë në luftë e një i vrarë pas lufte. I ati i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur mysafirë të mërkurën, të cilët i janë gjendur pranë edhe një herë me rastin e ndalimit të të birit në Hagë. Hilmiu nuk ka pritur që do të ndalohet djali i tij i madh atje, megjithatë beson se do të kthehet shpejt pasi që të shpallet i pafajshëm. 


“Për fillim muna me thanë si jo e papritne po shumë e papritne oshtë arrestimi i Ramushit. Po ja që ndodhi. Nuk m’ka befasu veç mu, po thuja ni pjesë të madhe të popullit”, shprehet ai. “S’po di çka me thanë tjetër”. 
Hilmiu dukej i lodhur sa nga mosha, aq edhe nga mërzia e humbjes së bijve, por ishte i rrethuar nga të afërm e shokë të djemve të tij.

Asnjëri nuk fliste. Heshtjen e thyente vetëm një muzikë me zë të vogël. Rapsodët i këndonin trimërisë së patriotëve të Kosovës. 
Hilmiu ka rikthyer sytë nga Haga dhe lajmet që vijnë nga atje, por thotë se nuk është i informuar se çka do të thotë gjykim i pjesshëm.

Ndalimi i ish-komandantit të UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit në Hagë për një proces të ri gjyqësor, sipas Hilmiut, është përgatitur nga dikush në Kosovë, siç thotë ai, vetëm e vetëm që ta eliminojnë në momente të mëdha të vendosjes për Kosovën. 
“Në njifarë forme lirisht muna me thanë që çdo rast që u sill rreth Ramushit është përgatit diçka këtu prej Kosove, atëherë u shku anej.

Dikuj po i përshtatet, po i konvenon”, thotë më zë të vogël ai, derisa herë pas here u përgjigjet telefonatave. Mirëpo ndonëse mendon se dikush nga Kosova po ia bën këtë, Hilmi Haradinaj nuk e përmend se kush.  
“Kur ke pavarësia shkoi Ramushi në Hagë, kur ke tash me u da drejtësia me Serbinë Ramushi shkoi në Hagë dhe shumë e shumë sene tjera.

Ramushi jo se oshtë i joni po oshtë njëri ma i përgatitun sa i përket..., e s’po di vallahi ma”, vazhdon ai. 
Pak kilometra nga Gllogjani, në Deçan, Avdyl Mushkolaj drejton Shoqatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së për rajonin e Dukagjinit. Të mërkurën ai po diskutonte me njerëz të tjerë hapat e mëtejshëm. Thotë se nuk i di cilët janë këta hapa që, sipas tij, varen nga zhvillimet në Hagë.   


Vendimin e Dhomës së Apelit për paraburgimin e Haradinajt, Brahimajt dhe Balajt ai e konsideron si shokues. Megjithatë, beson në lirimin e tyre, ngase, sipas tij, para këtij organi të drejtësisë ndërkombëtare është dëshmuar pafajësia, e cila ka pasuar edhe me lirimin e liderit Haradinaj. 


“Ky vendim vetëm një ditë para atij të GJND-së nuk mund të shpjegohet ndryshe, pos edhe në një veprim shtesë të presionit ndaj Kosovës, madje edhe të dyshimit të largimit të Haradinajt nga skena politike e vendit”, thotë Mushkolaj, i cili vlerësohet si njeri me ndikim të madh në Deçan.

Ai nuk i beson shumë drejtësisë së Hagës pasi, sipas tij, mbi këtë gjykatë po ka ndikim politika. Mushkolaj thotë se lufta e UÇK-së është e pastër sepse, siç thotë ai, nëse dënohet Haradinaj duhet të dënohet edhe NATO-ja që i ka ndihmuar UÇK-së. 


“Jemi jashtëzakonisht të befasuar me vendimin e sotëm, kjo është diçka që nuk kemi mundur ta parashohim, posaçërisht duke pasur parasysh lirimin e tij pa mëdyshje dhe unanim të para dy viteve”, ka thënë Mushkolaj.
“Të gjitha arsyet janë në anën tonë dhe këmbëngulim tërheqjen e këtij vendimi të papritur dhe të paprecedentë në praktikat e drejtësisë ndërkombëtare, të cilës edhe ne natyrisht i besojmë, duke qëndruar fuqishëm edhe në pafajësinë e Haradinajt”, ka thënë ai.

Mirëpo, nëse vazhdon mbajtja e Haradinajt në paraburgim, sipas Mushkolajt, gjithçka është e qartë: destabilizimi jo vetëm i Kosovës, por edhe i tërë Ballkanit. Situatën Mushkolaj e ka vlerësuar të tensionuar dhe me tendencë të përkeqësimit të mëtejmë, por, sipas tij, vetëm tërheqja e një vendimi të tillë “do ta rikthente në gjendje të mëparshme”. 
Edhe Avdyl Mushkolaj beson se në arrestimin e Ramush Haradinajt dhe në nisjen e një procesi të ri gjyqësor për krime lufte ka gisht edhe dikush në Kosovë.

Sikurse Hilmiu, i ati i Haradinajt, edhe ai ia drejton gishtin dikujt.  
Të mërkurën ndërkohë ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Hashim Thaçi, i cili që nga kthimi i Haradinajt nga Haga para dy vjetësh i kanë “raportet e ngrira”. 
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Qeveria e Republikës së Kosovës e ka përcjellë me vëmendje procesin gjyqësor të shkallës së dytë dhe shpreh brengosje për procesin e rigjykimit ndaj Ramush Haradinajt dhe luftëtarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në një reagim të lëshuar nga Zyra e kryeministrit.

Sipas kësaj komunikate, Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për këtë vendim të gjykatës, mirëpo është e bindur se Haradinaj do të dëshmojë pafajësinë e tij në rigjykimin e pjesshëm, ashtu si në rastin e gjykimit të tij në këtë gjykatë, e cila e kishte shpallur të pafajshëm.
“Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar luftë të drejtë për liri dhe demokraci, për mbrojtjen e vlerave të qytetërimit, dhe ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare të luftës”, thuhet më tej.

Qeveria thotë se institucionet, qytetarët e Republikës së Kosovës dhe vetë Haradinaj kanë dhënë provat e bashkëpunimit dhe të besimit në drejtësinë ndërkombëtare, gjë që po rikonfirmohet edhe në rastin aktual.
“Qeveria e Republikës së Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të kenë besim në drejtësinë ndërkombëtare, duke shprehur besimin e plotë se të bashkuar do t’i tejkalojmë të gjitha sfidat para nesh, për çka Qeveria jep garanci të duhura”, përfundon komunikata.


Ndërkohë shkalla e dytë e Gjykatës së Hagës nuk ka caktuar datën tjetër të gjykimit. Gjithashtu nuk dihet se sa mund të zgjasë ky proces i ri, derisa i pari kishte zgjatur më shumë se tre vjet. Nëse edhe rigjykimi merr kaq kohë, Ramush Haradinajt i pamundësohet pjesëmarrja në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat pritet të mbahen vjeshtën e 2011-ës.

Sipas nenit 29 - përshtatshmëria/aftësia e kandidatit të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme në Kosovë, nëse kandidati është nën akuzë apo duke vuajtur dënimin e Tribunalit të Hagës i ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje.  
Por për Hilmi Haradinajn e rëndësishme është që djali t’i kthehet në shtëpi si i pafajshëm. Po të mos kishte inate kaq të mëdha mes shqiptarësh, sipas Hilmiut, punët do të shkonin më mirë.


“Ni pjesë të madhe na vetë ia kemi ba shoqi-shoit se kërkush nuk u ardh prej Maxharrie, prej Hungarie, prej shteteve tjera, me na ba, veç na veti”, vlerëson ai. Ai hedh poshtë deklaratën e Gjykatës se ka pasur frikësim dëshmitarësh në procesin gjyqësor “Haradinaj dhe të tjerët”. “Jo që nuk ka pas friksim të dëshmitarëve, po as që ka mujt me kanë ajo, për ata po bahen kurdisje”, thotë ai dhe kërkon që të mos i bëhen më shumë pyetje./k.n

 

Moti

Valuta

NJOFTIM


2010-08-30 - 17:34:22

Maqedonia kundër projektrezolutës serbe

Maqedonia nuk do ta përkrahë projekt-rezolutën e Serbisë në OKB

Read more text

Kulture


2010-09-01 - 19:41:33

Autocensura shkatërron letërsinë

Ismail Kadare, në një bisedë të shkurtër me Luke Sampson për Financial Times

Read more text

Shëndetësi


2010-09-01 - 19:57:20

Çfarë është higjiena e mirë orale?

Higjiena e mirë orale nënkupton një gojë

Read more text

VIP


2010-08-30 - 17:52:42

Shtypi iranian e quan Brunin prostitutë

Shtypi iranian sulmon me fjale fyese dhe shumë të rënda zonjën

Read more text