
2010-07-22 - 11:10:22
Kthimi i trishtuar i shqiptarëve
Në muaj dhjetor të vitit të kaluar, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi ishin vendet
, të cilave iu dha mundësia të udhëtojnë pa viza në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian. Që prej asaj kohe, Belgjika dhe Suedia kanë parë një rritje të madhe të aplikimeve për azil, kryesisht nga shqiptarët nga Serbia dhe Maqedonia. Vetëm në Belgjikë ka pasur mbi 900 aplikantë që prej fillimit të vitit.
Por ata janë refuzuar, pasi deprivimi ekonomik nuk pranohet si bazë legjitime për të kërkuar azil.
Autobusë plot me aplikantë kanë filluar të kthehen në qytetet e tyre. Në qytetin e Serbisë jugore, Preshevë, pranë kufirit me Maqedoninë, një autobus i bardhë me targa belge, parkon në një stacion të ngarkuar, i shoqëruar nga policia.
Ai ka sjellë shqiptarët e parë nga 900 syresh që u përpoqën të fitojnë azil në Belgjikë që prej fillimit të vitit, duke e bërë Europën që të shqetësohet nga një eksod i dukshëm nga Maqedonia dhe Serbia. Pasagjerët priten nga një turmë e madhe gazetarësh.
Agron Zejnullahu, një prej të kthyerve tregon se si ndihet. "Nuk shkova për t'u kthyer", tregon ai. Dhe me këto fjalë ai edhe të tjerët që nuk duan të jenë në qendër të mediave, largohen.
Agroni më vonë tregon më shumë për historinë e tij nga komoditeti i shtëpisë. Agron shpjegon se si e kishte humbur punën si teknik veteriner katër vjet më parë. Ai mori borxh rreth 800 dollarë për të paguar për gruan dhe tre fëmijët e tij që të shkonin në Belgjikë në kërkim të një jete më të mirë. Agroni thotë se varfëria do ta shtynte ta provonte përsëri largimin nga vendi.
Kur iu mbaruan paratë dhe kur e kuptoi që aplikimi i tij nuk do të pranohej, vendosi të kthehej në shtëpi "Dëgjuam që Belgjika ka një qasje liberale ndaj azilkërkuesve. Njerëz nga fshati im ka shumë vite atje."
"Mendova se do të merrja strehim nga shërbimet sociale dhe mundësi për të punuar, sepse kushtet në Europën Perëndimore janë më të mira, ndërsa këtu shumica e njerëzve nuk kanë perspektivë," tregon Agroni.
Ai tregon se sa i dëshpëruar ishte për t'u larguar nga vendi i tij "Është shumë e vështirë, të lësh gjithçka prapa, por kur nuk ke para, duhet t'i kthesh shpinën të shkuarës dhe të ecësh përpara." "Mendoja se qendra e Europës, Brukseli, do të na gjente një zgjidhje. Ndaj jam i trishtuar.
Doja që të qëndroja për të paktën pesë vjet, dhe dështova." "Por do të largohesha përsëri qysh nesër, për në Kanada, Shtetet e Bashkuara, apo kudo ku ka një jetë më të mirë se këtu, sepse për momentin nuk kam të ardhme", thotë Agron Zejnullahu. Ai rrëfen se biletën e kishte blerë përmes një agjencie udhëtimi me emrin Mimoza, që siguron udhëtime direkte me autobus për në Bruksel.
Besohet se shumica e agjencive ai ajo operojnë në mënyrë të paligjshme, duke u premtuar klientëve si Agroni se do të jetë e lehtë që ata të ndërtojnë një jetë të re në Belgjikë.
Por drejtori i kësaj agjencie, Kadria Nexhati e mohon këtë dhe thotë se nuk ka autobus për në Belgjikë, por vetëm për në Gjermani dhe Zvicër dhe shton se prej andej njerëzit shkojnë për në Bruksel. Lugina e Preshevës, është një prej rajoneve më të varfra në Serbi, që vuan nga mungesa e investimeve dhe një papunësi mbi 50 për qind.
Kudo që të hedhësh sytë shikon varfëri. Ka shumë njerëz që lypin në rrugë, këto të fundit vijëzohen nga mbeturinat dhe shumë njerëz përdorin traktorë si mjet udhëtimi.
Ky rajon është në kufi me Kosovën dhe armiqësia e vazhdueshme mes shqiptarëve dhe serbëve bën që tensioni politik në Preshevë t'u shtohet vështirësive ekonomike. "Ata vijnë me pretendime false, ata thonë se duan azil politik, por në fakt duan azil ekonomik," thotë, Denise de Hauwwere ambasadorja belge në Serbi.
Ajo thotë se Belgjika po i përballon me vështirësi ata qindra emigrantë ekonomikë që abuzojnë me lëvizjen e lirë pa viza nga Serbia dhe Maqedonia. Ambasadorja thekson se eksodi i vazhdueshëm nga këto vende mund të dëmtojnë shpresat për anëtarësim të tyre. "Mendoj se autoritetet serbe janë të shqetësuara po aq sa ne. Ky nuk ishte qëllimi i liberalizimit të vizave dhe është shumë keq për hyrjen në Bashkimin Europian."
"Si mund të bëhesh anëtar i BE-së, kur ke kaq shumë njerëz që largohen nga vendi", pyet ambasadorja belge.
Në mënyrë publike qeveria serbe nuk dëshiron ta zmadhojë problemin. Bozidar Djelic është zëvendëskryeministër. "Ky është një episod që për ne përbën një paralajmërim. Një paralajmërim për të ndëshkuar keqbërësit, një paralajmërim për t'u zhvilluar më tej". "Flasim për disa qindra-mijëra njerëz që kanë udhëtuar pa viza dhe kemi pasur vetëm 1000 probleme. Nuk ka turma të mëdha njerëzish që përpiqen të pushtojnë prej këtej Europën," thotë zv.kryeministri serb.
Presheva është një rajon shumë larg Beogradit të zhvilluar, por një rajon për të cilën qeveria është vënë nën presion për t'i kushtuar më shumë vëmendje. Ky episod ka theksuar varfërinë në këtë rajon dhe përpjekjet që shtetasit e saj bëjnë me shpresën për një jetë më të mirë.
/Korrespondent i BBC-së për Ballkanin




