
2010-07-21 - 13:49:15
Disa media me pasaktësi deklaratat e Ban Ki-moon
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka shpërndarë një sqarim
për media, ku thekson se deklarata e Sekretarit Ban lidhur me mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është keqinterpretuar.
Në këtë sqarim theksohet se “mbrëmë dhe sot, mediat kanë raportuar pasaktësisht rreth deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-moon lidhur me Mendimin Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Në fakt, Sekretari i Përgjithshëm në asnjë mënyrë nuk e paragjykoi Mendimin Këshillëdhënës, të cilin Gjykata do ta shpallë më 22 korrik. Duke u përgjigjur në pyetjen gjatë një takimi me media dje në Gjenevë, Z. Ban theksoi se Kombet e Bashkuara do t’i diskutojnë për së afërmi implikimet e Mendimit Këshillëdhënës me Bashkimin Evropian, dhe palët e tjera të përfshira dhe të interesuara për të gjetur mënyrën më të mirë për ta adresuar çështjen dhe për të siguruar paqe dhe stabilitet në rajon.
Në vijim është pyetja dhe përgjigja e Sekretarit të Përgjithshëm nga takimi dje: Pyetja (përkthyer nga frëngjishtja]) e gazetarit shqiptar. (Top Channel, Shqipëri) : Z. Sekretar i Përgjithshëm më 22 korrik Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë do ta japë mendimin e vet këshillëdhënës për pavarësinë e Kosovës. A mendoni se Kosova do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara pas kësaj?
Sekretari i Përgjithshëm është përgjigjur: Fillimisht, jam në dijeni se gjykimi i këtij aplikimi të Qeverisë së Serbisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës do të bëhet përmes një mendimi këshillëdhënës, në kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme. Dhe unë po e pres këtë vendim më 22 korrik.
Cilido që të jetë vendimi, unë e respektoj, dhe kuptoj se shtetet anëtare po ashtu do ta respektojnë vendimin e GJND-së. Kjo është një organizatë, trup gjyqësor i Kombeve të Bashkuara. Për çfarëdo implikimi ligjor apo politik që vjen nga ky mendim këshillëdhënës, shtetet anëtare, dhe në veçanti palët e përfshira, do të duhet të koordinohen dhe diskutojnë rrjedhën e mëtejme të veprimeve.
Kombet e Bashkuara, në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, dhe pasi që jemi duke e mbajtur UNMIK-un në Kosovë, po ashtu do të diskutojmë për së afërmi këtë çështje me palët e përfshira drejtpërsëdrejti dhe me Bashkimin Evropian si dhe palët e tjera kyçe të përfshira në një mënyrë të harmonizuar në adresimin e kësaj çështjeje dhe të sigurojnë atje paqe dhe stabilitet. Deri atëherë, ne do të vazhdojmë të punojmë sipas 1244-shit, në mënyrë neutrale ndaj statusit. Ju faleminderit shumë./k.n




