
2010-03-13 - 15:16:03
AKR me Ismet Mulaj, për kryetar të Istogut
Aleanca Kosova e Re të shtunën ka prezantuar kandidatin e saj për kryetar të komunës së Istogut, Ismet Mulajn. Gjatë prezantimit, presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli
, ka vlerësuar lartë kontributin e Mulajt në AKR, që nga themelimi i kësaj partie.
Ai tha se AKR-ja do të garojë në Istog për të fituar. “Istogu meriton të qeveriset mirë dhe me dinjitet. AKR do ta bëjë Istogun model të qeverisjes së mirë dhe zhvillimit ekonomik” – tha Pacolli.
Kandidati Mulaj u shpreh i bindur se do të zhvillojë një fushat të dinjitetshme, të ndershme, dhe do të ofrojë një program konkret për zhvillimin e Istogut.
“Istogu është një komunë që meriton të qeveriset në mënyrë të drejtë, pa korrupsion, pa nepotizëm por me ndershmëri dhe përgjegjësi”, u shpreh Mulaj.
Mulaj është ndër themeluesit e AKR-së dhe njëherësh nënkryetar në Kryesinë e parë të kësaj partie. Ai ka një eksperiencë të gjatë në sektorin e shoqërisë civile si dhe në institucionet ndërkombëtare dhe vendore. Mulaj ka shkollim pasuniversitar në politikat publike dhe ne marrëdhënie ndërkombëtare./AMC




