
2010-03-12 - 16:30:24
Meta: Marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, dinamike
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, po vazhdon edhe sot vizitën në Serbi. Meta ka dhënë sot paradite një konferencë për shtyp në ambientet e ambasadës
shqiptarë në Beograd, ku theksoi se “marrëdhëniet e Serbisë me Shqipërinë janë në një fazë dinamike”.
Meta shtoi se në të ardhmen do të nënshkruhen shtatë marrëveshje të rëndësishme me Serbinë.
Mësohet se Meta ka kryer një telefonatë në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Ministri i Jashtëm shqiptar konfirmoi se ka marrë mirëkuptimin e Kryeministrit Thaçi për vizitën zyrtare ne Serbi
Në orët e pasdites, ministri i Jashtëm shqiptar, njëherit zëvendëskryeministër i këtij vendi, po zhvillon një vizitë në Luginën e Preshevës.
Meta i fton serbët pa viza në Shqipëri
Ministri i Jashtëm shqiptar, Meta, i ka ftuar qytetarët serbë që ta vizitojnë Shqipërinë pa viza. Ai tha se shpreson që një regjim pa viza të zbatohet reciprokisht për qytetarët e dy vendeve. “Ju ftoj të vizitoni vendin tim të bukur që gjatë kësaj vere”, tha zv.kryeministri shqiptar.
Edhe pse historike vizita e Metës në Serbi, dy çështje mbetën pezull në takimet zyrtare.
Kosova, dhe trafikimi i organeve nga Shqipëria, akuzë e Beogradit ndaj Tiranës. Ajo që bie në sy nga deklarata e djeshme e zv.kryeministrit Ilir Meta është fakti se në asnjë rast gjatë takimeve, shefi i diplomacisë shqiptare nuk ka përmendur akuzat e herëpashershme të Beogradit për trafikun e organeve nga Shqipëria.
Akuzat janë bërë publike në një libër të ish-prokurores së Hagës Carla Del Ponte, ndërkaq, një mision i OKB i mbërritur disa ditë më parë në Tiranë, shprehu shqetësim për mungesën e bashkëpunimit të organeve kompetente të Shqipërisë për lejimin e hetimit të kësaj çështjeje.
Por ndërkaq, për këtë, në takimet e djeshme zyrtare, nuk është folur asnjë fjalë, sipas zëdhënësit të ministrit të Jashtëm, Ralf Gjoni.
Hendek i madh për Kosovën
Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, tha dje se për çështjen e Kosovës “ekziston një hendek i madh ndërmjet dy vendeve”.
“Në çështjen e Kosovës, qeveritë kanë dy pozicione krejt të ndryshme. Por, nga ana tjetër, ne ramë dakord që e ardhmja e gjithë rajonit është në BE, pa lënë njeri pas”, tha Meta.
“Lidhur me kërkesës serbe për një pakicë serbe në Shqipëri, qëndrimi i Qeverisë sime është shumë i qartë: kjo çështje do të marrë drejtim pas regjistrimit të ri, i cili do të jetë shumë transparent dhe në bazë të standardeve të BE”, tha Meta.
Takimi i parë me Tadiçin
Takimin e parë, të tij, në Beograd, Meta e ka zhvilluar me Presidentin Boris Tadiç.
Presidenti serb Boris Tadiç tha se, Shqipëria përbën një interes për investitorët serbë.
Ai ka premtuar se do të bëhet më shumë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Meta vuri në dukje edhe gjatë deklaratës se në të gjitha takimet ka diskutuar për “një epokë të re në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë”.
“Unë e konsideroj si një moment historik për stabilitetin në rajon, një bashkëpunim të përmirësuar në të gjitha fushat me interes të përbashkët për të mirën e të dy vendeve”, u shpreh Meta.
Meta viziton varrin e Gjingjiqit
Ministri i Jashtëm, Meta, vlerësoi dje figurën e ish-kryeministrit të vrarë serb, Zoran Gjigjiq. I shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, bashkë me bashkëshorten e ish-kryeministrit serb, Ruzhica Gjigjiq, Meta bëri homazhe, të cilat përkojnë edhe me 7-vjetorin e vrasjes.
“Gjingjiq, pa asnjë diskutim që mbetet një frymëzim jo vetëm për demokratët dhe forcat progresiste e proevropiane në Serbi, por në të gjithë rajonin tonë, pasi falë vizionit të tij, falë kuarajos së tij të jashtëzakonshme, Serbia është në një stad të ri të integrimit evropian dhe të gjithë proçesit të integrimit në komunitetin ndërkombëtar”, u shpreh Meta, me këtë rast.
“Falë këtij vizioni dhe kurajoje, edhe marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë përparuar, ndoshta jo aq sa do dëshironin shumë si unë. Por shpreh besimin se akoma më shumë, këto marrëdhënie do të shënojnë progres dhe do të jenë solide, sepse marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë janë shumë të rëndësishme për perspektivën e rajonit tonë, për përshpejtimin e integrimit të tij evropian”, theksoi Meta, pas homazheve. (BalkanWeb)




