
2010-03-12 - 11:38:18
Mirel: Gjeni kompromis brenda 18 Marsit
Drejtori i Drejtorisë së përgjithshme të Zgjerimit në KE, Pierre Mirel i ka bërë apel politikës shqiptare të gjejë kompromisin për të kthyer në normalitet jetën
parlamentare në vend.
Gjatë fjalës së tij në takimin e parë të komitetit të Stabilizim Asocimit, Mirel ka theksuar se konsensusi politik është jetik për integrimin e Shqipërisë në BE.
Ai pranoi se arritjet e Shqipërisë u zbehën nga zhvillimet e fundit politike, ndërsa apeloi që Komisoni i Ligjeve duhet të sigurojë që të ketë një qëndrim konstruktiv për çështjen e hetimit të zgjedhjeve.
"Duhet të gjendet një zgjidhje, pasi do të ketë një takim të rëndësishëm në 18 mars, e për këtë palët duhet të gjejnë një zgjidhje deri në atë datë"- tha Mirel.
"Te tejkalohen mosmarreveshjet politike, te cilat kane demtuar progreset e Shqiperise. Ne mirepresim kthimin e deputeteve te PS ne Parlament dhe ajo c'ka eshte e rendesishme ne ditet ne vazhdim eshte qe te sigurohet se do kete nje qendrim konstruktiv te Parlamentit", tha ai.
Sipas tij, kompromisi duhet kërkuar gjatë ditëve në vijim në mënyrë që parlamenti të funksionojë ashtu si duhet.
"Konsensusi politik është thelbësor, konsensusi politik me partive, forcave ekonomike, është mënyrë për anëtarësimin në BE dhe kjo është shumë e rëndësishme. Është e rëndësishme që të mbahet një konsensus për integrimin në BE, të gjendet një zgjidhje"- tha ai.
Te njejtin apel ka bere edhe ambasadori i Spanjës, Manuel Montobio, vendi i të cilit kryeson presidencën e radhës së BE-së.
Sipas tij, dialogu eshte shume jetik per integrimin ne familjen evropiane dhe per kete eshte e rendesishme qe te tejkalohet kriza politike ne Shqiperi.
"Duhet të fokusohemi në sfidat e integrimit në Bashkimin Evropian, por fillimisht duhen kapërcyer mosmarrëveshjet politike. Kjo është pika e nisjes për Shqipërinë.", Tha Montobio.
Nis takimi i Stabilizim Asocimit
Ka nisur ne Tirane takimi i parë i komitetit të Stabilizim Asocimit, një strukturë në të cilën marrin pjesë përfaqësues të autoriteteve shqiptare dhe atyre të Komisionit Europian.
Pala shqiptare eshte përfaqësuar nga ministrja e integrimit Majlinda Bregu ndërsa Komisioni Europian nga Drejtori i Drejtorisë së përgjithshme të Zgjerimit, Pierre Mirel.
Mbledhja e sotme do të marrë në analizë një spektër të tërë problemesh dhe fushash: që nga situata dhe zhvillimet politike, çështjet që lidhen me drejtësinë dhe pavarësinë e këtij sistemi, çështjet e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, situatën ekonomike dhe masat e parashikuara për përballjen me efektet e krizës, zhvillimet në sistemin fiskal dhe në doganat e tatimet deri në çështjet e transportit, e energjisë apo lirisë së shtypit dhe legjislacionit për mediat.
Një vend të rëndësishëm pritet të zerë në këto diskutime kapitulli i parë, ai që i kushtohet kritereve politike, të cilit në fakt i është lënë edhe më shumë kohë duke qenë se pjesë e vlerësimeve të këtij kapitulli janë një numër i madh temash që lidhen jo vetëm me situatën politike, por edhe me funksionimin e institucioneve, reformat, vecanërisht ato të drejtësisë, çështje të pronës dhe lirisë së shprehjes.
Ky takim i paraprin atij të Këshillit të Asocim Stabilizimit i cili do të mbahet në maj, ku përballë autoriteteve shqiptare do të jenë përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian./.sh.k




