logo_ssm.jpg

Shtyhet Verdikti i GJND’së


2010-03-11 - 12:00:04

Shtyhet Verdikti i GJND’së


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk do të deklarohet në qershor për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovë. Si afat të ri kohor, diplomatë perëndimorë tani përmendin fundin e muajit gusht.

Shtyrja për dy muaj e vendimit të GJND’së godet planet e Serbisë që të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së.


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk pritet të nxjerrë opinionin këshillëdhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës deri në fund të gushtit, kanë thënë burime diplomatike të gazetës Express.

Gjykata e Drejtësisë asnjëherë nuk është deklaruar zyrtarisht se kur do të përfundojë procesi rreth rastit të Kosovës, por është thënë se do të trajtohet me prioritet.

Mirëpo, palët e përfshira në këtë çështje, zyrtarë të Kosovës, Serbisë dhe shteteve të tjera, fillimisht kanë përmendur prillin e më vonë qershorin, si afatin më të mundshëm të shpalljes së vendimit nga ana e Gjykatës.

Por, tani nga qarqe të njëjta paralajmërohet një shtyrje e re.

“Sinjalet që vijnë nga Haga tregojnë se GJND’ja nuk mund të përfundojë punën deri në fund të gushtit”, ka thënë të mërkurën një diplomat perëndimor, me kusht anonimiteti.

Edhe Kosova, edhe Serbia, presin me padurim vlerësimin e pesëmbëdhjetë gjykatësve ndërkombëtarë, të cilët kanë para vetes mijëra faqe me dokumente ‘për’ dhe ‘kundër’ shtetit të ri.

Autoritetet e Kosovës besojnë se pas mbylljes së këtij procesi do të rritet numri i njohjeve për pavarësinë e vendit, ndërkaq Serbia shpreson se mund të detyrojë bashkësinë ndërkombëtare të nxisë bisedime të reja mes Prishtinës dhe Beogradit.

Megjithatë, shtyrja e nxjerrjes së vendimit nga qershori në gusht vlerësohet se është në dëm të planeve serbe.

Sipas burimeve diplomatike, Serbia ka planifikuar që menjëherë pas vendimit të GJND’së në fund të qershorit, të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, nga e cila do të kërkonte të bëjë thirrje për bisedime të reja rreth statusit të Kosovës.

“Kjo do të bllokonte njohjet e reja për Kosovën gjatë muajve të verës”, ka thënë diplomati ndërkombëtar.

Ai thotë se jo vetëm shtetet e fuqishme perëndimore, por edhe Rusia është shprehur kundër këtij plani të Beogradit, që të përfshijë Asamblenë e Përgjithshme të merret me Kosovën gjatë muajve të verës.

Sidoqoftë, Serbia nuk do të heqë dorë nga ky plan, por i mbetet të presë deri në takimin e rregullt të Asamblesë së OKB’së, në gjysmën e dytë të shtatorit, por në këtë rast duhet të përfillë procedurat e rregullta për futjen e Kosovës në rendin e ditës.

Shtyrja e vendimit të Gjykatës së Drejtësisë nënkupton edhe shtyrje për çfarëdo bisedimesh për çështje teknike mes Prishtinës dhe Beogradit, pavarësisht insistimit të Bashkimit Europian që ato të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundshme.

Vonesat në Gjykatën e Hagës do të ndikojnë edhe në zbatimin e disa elementeve të rëndësishme të Strategjisë për pjesën veriore të Kosovës.
Vendimi i Gjykatës së Drejtësisë nuk është obligim ligjor, por ka rëndësi politike në procesin e njohjeve të reja për Kosovën dhe përmirësimin e marrëdhënieve të shtetit të ri me Serbinë./Nga Bekim Greiçevci

 

Moti

Valuta

NJOFTIM


2010-08-30 - 17:34:22

Maqedonia kundër projektrezolutës serbe

Maqedonia nuk do ta përkrahë projekt-rezolutën e Serbisë në OKB

Read more text

Kulture


2010-09-01 - 19:41:33

Autocensura shkatërron letërsinë

Ismail Kadare, në një bisedë të shkurtër me Luke Sampson për Financial Times

Read more text

Shëndetësi


2010-09-01 - 19:57:20

Çfarë është higjiena e mirë orale?

Higjiena e mirë orale nënkupton një gojë

Read more text

VIP


2010-08-30 - 17:52:42

Shtypi iranian e quan Brunin prostitutë

Shtypi iranian sulmon me fjale fyese dhe shumë të rënda zonjën

Read more text