
2010-03-09 - 10:59:59
Me aleatë kundër Serbisë
Përpjekjeve të Beogradit për të nxitur bisedime për statusin përmes një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të OKB’së gjatë vjeshtës, Prishtina do t’i kundërvihet duke përdorur shtetet mike
. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi pranon se Serbia përmes kësaj iniciative mund të përhapë më shumë dilema rreth njohjes së pavarësisë.
Iniciativa e re e Serbisë, me të cilën synohet të hapen bisedime të reja për statusin e Kosovës përmes një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, mund të shtojë edhe më shumë dilema rreth njohjes së pavarësisë te shumë shtete të botës.
Diplomacia serbe këtë iniciativë pritet ta shpalosë gjatë sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së në vjeshtë, atëherë kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet ta ketë thënë fjalën e saj rreth legalitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Beogradi insiston në vazhdimin e bisedimeve për statusin e Kosovës, ndërsa diplomacia serbe është hiperaktive në tentimin e saj për të bllokuar sa më shumë njohje.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se autoritetet kosovare janë të njoftuara me këtë plan dhe përpjekjet e Serbisë për të bërë pengesa të reja për pavarësinë e Kosovës.
“Jemi të informuar për këtë strategji të Serbisë. Në fakt ne kemi qenë të vetëdijshëm që pas përfundimit të procesit në GJND, Serbia do të tentojë të bëjë pengesa të reja”, ka thënë Kuçi, të hënën, një prononcim për Express.
Por ai shpreson se kjo iniciativë e Serbisë do të dështojë.
“Jemi në koordinim të plotë me miqtë tanë ndërkombëtarë dhe po ashtu jemi të bindur se Këshilli i Sigurimit respektivisht Asambleja e Përgjithshme do ta kuptojë se Kosova e ka përfunduar çështjen e negociatave dhe nuk do të shtrohet për diskutim në Asamblenë e Përgjithshme”.
Por zyrtarët në Beograd tashmë e kanë bërë të qartë se do të insistojnë që të përdorin edhe këtë mjet kundër pavarësisë.
“Mendoj se do ta ngrisim çështjen e Kosovës sërish para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, varësisht nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë Milivoje Mihajlovic, Zëdhënës i Qeverisë së Serbisë.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia kishte kishte dalë me idenë për të çuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pavarësinë e Kosovës. Fillimisht kjo ishte nënçmuar nga Prishtina me pretekstin se bëhej fjalë për një mendim këshillëdhënës pa pasoja juridike. Por pas fillimit të procesit në GJND, ritmi i njohjeve të pavarësisë së Kosovës ka rënë dukshëm.
Zëvendëskryeministri Kuçi shpreson që mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të jetë pozitiv për zhvillimet që kanë ndodhur në Kosovë dhe se nuk do të lërë dilema. Ai po ashtu thotë se Prishtina nuk do të rrijë pasive përballë iniciativave të Serbisë.
“Ne nuk do të rrimë duarkryq, ne do të mundohemi që të përgjigjemi me veprimet tona dhe nuk do të punojmë me inerci në kuptimin negativ me politikën e Serbisë”, ka thënë ai.
Por a mundet kjo iniciativë të bllokojë njohjet apo të shtojë edhe më shumë dilemat e shteteve të ndryshme që hezitojnë rreth pavarësisë së Kosovës?
Zëvendëskryeministri Kuçi pranon se çështja e njohjeve mund të vështirësohet.
“Me siguri se tek ato shtete që kanë dilema, në veçanti tek ato që dilemat mund t’i kenë më të theksuara dhe Serbia këtë e bën për këtë qëllim, ajo e di se pavarësia e Kosovës është e pandalshme, ndërsa konsolidimi dhe legjitimimi përmes njohjeve ndërkombëtare mund të jetë një proces që hap dilema”.
Por cila është strategjia e palës kosovare për t’iu përgjigjur Serbisë?
Kuçi thotë se edhe kësaj radhe pala kosovare do të bashkëpunojë me shtetet mike.
“Jemi në bashkërendim me miqtë tanë ndërkombëtarë. Ne jemi duke punuar me miqtë tanë edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe indirekte me shtetet që s’e kanë njohur Kosovën, por me siguri në të ardhmen do të jemi më të koncentruar në këtë drejtim, në veçanti me 5 shtetet anëtare të BE’së, por edhe me shtetet e tjera në botë”, thotë ai.Nga Shpend Limoni




