
2010-03-09 - 10:52:51
S’ka ndëshkim për FSK-në
Komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler është hidhëruar goxha me veprimin e fundit të Gardës së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Ai ka suspenduar momentalisht mbështetjen
për trajnimin dhe monitorimin e kësaj force, por nuk i ka ngrirë marrëdhëniet, e as nuk do t’i shqyrtojë ato. Kjo i duket fjalë mjaft e rëndë.
Në një intervistë për të përditshmen Lajm, komandanti Bentler ka thënë se, suspendimi i mbështetjes nuk do të thotë edhe ndëshkim. “Nuk kemi shkruar aq larg dhe nuk dua të flasë për ndëshkimet. Kjo është diçka jashtë fjalorit tim dhe që nuk do ta përdorja në këtë rast”, ka sqaruar Bentler.
Suspendimi i mbështetjes, sipas Bentlerit, do të vazhdojë deri në një njoftim tjetër, dhe derisa të zgjidhet problemi që ndodhi. Ai po ashtu ka sqaruar se është duke punuar me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës për të gjetur një zgjidhje rreth kësaj çështjeje.
Bentler insiston se FSK-ja duhet të sillet në bazë të mandatit që ka, sado që në Planin e Ahtisaarit për statusin nuk është e sqaruar, nëse Garda e FSK-së duhet të mbajë ose jo armë në raste të veçanta. /T.L




