
2010-03-08 - 22:43:35
PDK.ja dhe LDK-ja e fllojnë ashpër
PDK’ja dhe LDK’ja nisën fushatën në Gjilan. Qemajl Mustafën këtë të diel do ta mbështesin edhe LIB’ja, LPK’ja dhe NDSH’ja. Fatmir Rexhepi, ndërkaq, para
simpatizantëve të tij ka lëshuar akuza të rënda në adresë të Kryetarit të PDK’së, Hashim Thaçi.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nisur të hënën fushatën elektorale në Gjilan.
Me nënshkrimin e një marrëveshjeje me disa subjekte të vogla dhe asociacione joqeveritare që veprojnë në komunën e Gjilanit, e ka nisur fushatën e saj për zgjedhjet e 14 marsit PDK’ja, me ç’rast kandidati Qemajl Mustafa ka shprehur besimin se me ndihmën e partnerëve dhe të qytetarëve, kësaj radhe do të fitojë edhe më bindshëm garën për të parin e Komunës.
Për rrethin e tretë të zgjedhjeve, përkrahja për kandidatin e PDK’së, përveç nga partnerët e deritanishëm (AKR’ja, PD’ja, PSD’ja, ORA e KDTP’ja), është zgjeruar nëpërmjet një marrëveshjeje edhe me disa parti të vogla, si Lëvizja për Integrim dhe Bashkim (LIB), Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), Lëvizja Nacional Demokrate Shqiptare (NDSH) dhe shoqatave “Vatra” e “Qendra e Pavarur Kulturore e Anamoravës” (QPKA).
“Shkojmë me bindjen e plotë dhe me dëshmitë e krijuara deri tani që do të jemi fitues bindës, jo më me 1 mijë vota assesi, do të jemi fitues me një diferencë jashtëzakonisht të madhe, që të mos i krijojmë hapësirë as minimale kundërkandidatit, i cili, siç e keni parë, është jashtëzakonisht i papërshtatshëm, është jodemokrat, është me një mentalitet që i takon vetëm natyrës së tij, që të mos i krijojmë pra hapësirën minimale që ta kontestojë rezultatin”, është shprehur Mustafa.
Ndërkaq, kandidati i LDK’së për Kryetar të Gjilanit, Fatmir Rexhepi u është kundërpërgjigjur me akuza të ashpra deklarimeve që ka bërë ditë më parë Lideri i PDK’së, Hashim Thaçi, i cili e ka cilësuar Rexhepin si kërcënues të votës së lirë dhe kërcënues të vullnetit të qytetarëve.
“Lirisht mund të themi se kjo qeveri me punën e saj 2-vjeçare ka treguar se është qeveri vetëm e korrupsionit dhe e krimit të organizuar. Qeveri e cila me sjelljen e saj po mundohet të vendos apo t’i ripërtërijë metodat e stalinizmit në Kosovë. I ka ikur koha. Unë i them Hashim Thaçit dhe shokëve të tij se nuk ripërtërihet më stalinizmi as në Kosovë e lere më në Gjilan. Prandaj të kota janë ato spekulime. Janë edhe shtatë ditë kur Gjilani do t’i thotë përfundimisht lamtumirë vazalëve dhe shatorëve të Hashim Thaçit që i ka ngritur në Gjilan”, ka thënë ai.
Duke e vlerësuar qeverinë e tanishme komunale si më të keqen që e ka pasur Gjilani ndonjëherë, kandidati i LDK-së ka thënë se 14 marsi do të jetë fundi i qeverisjes së PDK’së në Gjilan. Gjatë tërë paraqitjes së tij, Fatmir Rexhepi më tepër e ka përmendur Liderin e PDK’së sesa kundërkandidatin e tij Qemajl Mustafën dhe këtë me arsyetimin se fushata po bëhet nga Hashim Thaçi.




