
2010-03-07 - 14:28:23
Bizjak: Jo fjalë, reforma konkrete
"Shqipëria ka ende detyra për të përmbushur për liberalizimin e vizave dhe shumë sfida të tjera për anëtarësimin në BE". Kështu është shprehur Ivan Bizjak, Drejtor i Përgjithshëm
për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme në Sekretariatin e Përgjithshëm të Këshillit të BE-së, gjatë një interviste për Deutsche Welle.
Deklarata ka ardhur pas pyetjes se si i kanë shanset në vijim për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën, dy vendet që u përjashtuan nga Shengeni ndërkohë që fqinjët fituan liberalizimin.
"Unë shpresoj se kjo do të bëhet e mundur edhe për të dy vendet e rajonit. Unë nuk jam në gjendje tani t'ju them ekzaktësisht se si do të jetë vlerësimi pas pak muajsh, por jam i sigurtë se dhe Shqipëria e Bosnje Hercegovina e kanë të qartë se çfarë duhet të përmbushin"- ka thënë Bizjak, duke shtuar më tej se kjo nuk është kaq e thjeshtë.
Sipas tij, liberalizmi i vizave është vetëm një aspekt i rrugës plot sfida drejt anëtarësimit të plotë në BE.
"Kjo kërkon shumë punë dhe energji. Duhen konsoliduar institucionet, të garantohet sundimi i ligjit, të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar, të respektohen të drejtat e njeriut, të ketë konkurrencë të lirë në treg etj., reforma bindëse dhe që japin efekte pozitive tek qytetarët dhe mirëqenia e tyre. Kjo arrihet jo vetëm me fjalë, por dhe me vepra konkrete. Sepse problemet do të jenë më të pakta kur procesi kalon më shumë në planin konkret"- tha ai./sh.k




