
2010-03-07 - 14:22:58
Luan Krasniqi dhe meçi vendimtar
Luan Krasniqi mezi pret t’i rikthehet ringut. Boksieri kosovar e konsideron si të rëndësishëm dhe vendimtar meçin e dytë me Alexander Dimitrenkon. 38 vjeçari nga
Juniku paralajmëron pensionimin, nëse dështon t’i hakmerret ukrainasit.
Luan Krasniqit nuk i kishte ndodhur kurrë në karrierë të pushojë aq gjatë. Boksieri kosovar me nënshtetësi gjermane ka bërë pauzë mjaft të gjatë: ai nuk ka boksuar që nga 15 nëntori i vitit 2008, kur ishte mposhtur nga Alexander Dimitrenko.
Pritej që ai t’i rikthehej ringut pikërisht një vit më vonë, më 28 nëntor 2009, në ditën e Festës së Flamurit, por ai u desh të hiqte dorë në momentet e fundit nga ri-meçi me Alexander Dimitrenkon për shkak të një lëndimi që kishte pësuar gjatë përgatitjeve.
Tashmë janë bërë gati një vit e gjysmë që boksieri junikas nuk i ka kryqëzuar dorëzat e boksit. “Nuk ka qenë kurrë veçori e imja pritja, por duhet të jem i durueshëm. Jam mësuar tashmë”, ka thënë Krasniqi të shtunën për gazetën gjermane “Stuttgarter Nachrichten”.
Sidoqoftë, 38 vjeçari është duke u përgatitur për sfidën e radhës, pikërisht kundër ukrainasit Dimitrenko ndaj të cilit kishte humbur herën e kaluar. Krasniqi mezi pret t’i rikthehet ringut, derisa paralajmëron pensionimin, nëse pëson disfatë sërish.
“Jam duke u përgatitur për një meç të rëndësishëm dhe vendimtar. Dëshiroj një meç që ka kuptim sportiv, me dëshirën më të madhe që ta jap më të mirën kundër Dimitrenkos. Nëse nuk e fitoj këtë meç, çdo gjë merr fund”, tha boksieri kosovar.
Problemi i Krasniqit është se pas dy humbjesh që pati në dy meçet e fundit dhe pasi mungoi për shumë kohë në botën e boksit, ai më nuk është në gjendje t’i zgjedhë kundërshtarët, mbi të gjitha për faktin se nuk është më në renditjen e boksierëve më të mirë në botë.
Pas humbjes së fundit më 15 nëntor të vitit 2008 ndaj Alexander Dimitrenkos, Krasniqi po mendonte ta përfundonte karrierën, por bashkë me familjen e tij mori vendimin që ta provojë edhe një herë veten. Ai dëshiron t’i hakmerret ukrainasit 27 vjeç.




