
2010-03-07 - 11:10:54
Instituti për trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve në Maqedoni (ITKSHSHM) “Pjetër Bogdani” kërcënohet të shpërngulet nga objekti aktual. Në kuadër
të presionit të vazhdueshëm ndaj këtij institucioni më të lartë që ruan traditën dhe kulturën shqiptare, së fundmi iu është ndalë nxehja qendrore, kurse rrezikon t’i ndalet edhe rryma. Drejtori Ramiz Abdyli thekson për “Lajm” se ata po ballafaqohen me shumë probleme.
“Nuk kemi asnjëfarë dokumenti se jemi pronar të këtij objekti. Pasi na kanë ndalë nxehjen, së shpejti mund të na e ndalin edhe rrymën dhe më s’kemi çfarë të punojmë. Ne e respektuam vendimin maqedono-turk që të dalim nga Kurshumli Hani dhe vendosemi të objekti i ambasadës amerikane, por premtimi që për tre ditë do të na japin vendim për pronësi nuk është askund”, tha Abdyli.
Ai ka pohuar se disa herë ka kërkuar ndihmë, sidomos nga zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi, por deri më tani ende nuk ka marrë një përgjigje konkrete. “Më thonë se do të ketë një zgjidhje, por shkuan tre muaj që jemi vendosur dhe s’kemi asnjë zgjidhje”, tha Abdyli.
Përveç nxehjes që është ndalë, drejtori është ankuar se nuk është zgjedhur as çështja e veturave zyrtare dhe as mjeteve tjera për punë në Institut. Sipas profesorit Abdyli, qëllimi i kësaj neglizhence ka prapavija të errëta për Institutin “Pjetër Bogdani”. “Qëllimi i këtij presioni është që Institutin ta largojmë nga Shkupi e ta vendosim në Tetovë, por kjo s’do të ndodhë kurrë. Nëse e kërkon nevoja do të dalim edhe në ndonjë shtëpi private, por Instituti do të ngelet në Shkup. Aty e ka vendin dhe aty do të funksionojë me gjithë peripecitë e veta”, tha drejtori Ramiz Abdyli.
ITKSHSHM ka filluar me punë më 22 nëntor 2007 dhe që nga themelimi është ballafaquar me shumë probleme. Deri në fund të vitit 2009 ka qëndruar te Kurshumli Hani në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, kurse pas një marrëveshje mes qeverisë së Maqedonisë dhe Turqisë që ky objekt t’i takojë komunitetit turk, Instituti u vendos në objektin e ish-ambasadës së SHBA-ve në Shkup. Gjatë kësaj zhvendosje, popullata maqedonase kishte refuzuar këtë vendim, por Instituti vazhdoi me punë.
Instituti ka pesë sektorë, përmes së cilëve parasheh të realizojë veprimtarinë shkencore dhe hulumtuese edhe atë sektori i Gjuhës Shqipe, sektori i Letërsisë Shqipe, sektori i Historisë së Shqiptarëve në Maqedoni dhe i Lëvizjeve Demografike, sektori i Etnologjisë, Historisë së Artit dhe Arkitekturës Popullore, sektori i Lidhjeve të Ndërsjella Kulturore, Historike dhe Gjuhësore mes shqiptarëve dhe maqedonasve, si dhe mes këtyre dy popujve dhe popujve të tjerë brenda rajonit./lajm/kosovaere.ch




