
2010-03-06 - 21:51:48
Tërmkolli: Vatikani ta njoh sa më parë Kosovën
Forumi i Gruas i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një mbledhje solemne, sot, shënoi 20-vjetorin e themelimit dhe veprimtarisë. Njëherit, shënoi edhe 100-vjetorin e lindjes
së të Lumës Nëna Tereze dhe Shenjëtrimit të saj. ...
“Forumi i Gruas i LDK-së është dhe mbetet forcë e promovimit dhe dhë të ndërtimit të mëtejshëm të vlerave politike e kombëtare të vendit”, tha më këtë rast kryetarja e këtij forumi, Melihate Tërmkolli. Ajo, gjithashtu, publikisht kërkoi nga selia e Kishës Katolike në Vatikan, që sa më parë ta pranojë Kosovën, shtet i pavarur dhe sovran.
“Në këto dy jubilee, ne kujtojmë punën dhe sakrificën e madhe të qindra e mijëra grave të Kosovës dhe jashtë saj, të cilat kontribuan me tërë forcën, dijen dhe energjinë e popullit, me shpresa, sepse ishte populli i Gjergj Kastriotit. Ishte populli me shpresa, sepse, ishte populli i Nënës Tereze, ishte populli me shpresa, sepse ishte populli i Ibrahim Rugovës”.
Me këto fjalë, u është drejtuar kryetarja e Forumit të Gruas të LDK-së, anëtarësisë, si dhe mysafirëve prezentë, duke theksuar se synim kryesor i këtij forumi, në të ardhmen, do të jetë modernizimi dhe dinamizimi i punës së tij, si dhe funskionalizimi i mëtejmë në shtimin e rolit të tij në politikat e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të vendit. Forumin e Gruas e përgëzoi edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili tha se vizioni i përbashkët i të gjitha shtrukturave të LDK, pra, edhe i Forumit të Gruas, është integrimi në strukturat euro-atlantike.
“LDK, në këtë hap të madh, natyrisht, hyn edhe në procesin e brendshëm zgjedhor, i cili do të përcillet domosdoshmërisht edhe me zgjedhjen e organeve të saj, ku roli i gruas nuk mund të dallohet, përkundrazi, do të duhet të nivelizohet dhe do të jetë i tillë, në kuptimin e konkurencës së brendshme, në kuptimin e përfaqësimit në organet e partisë, në forcimin e rolit vendimmarrës në të gjitha forumet që LDK i ka, apo do t’i reformojë në të ardhen e afërme”, ka thënë Haziri.
Në fund të mbledhjes solemne të Forumit të Gruas të LDK-së, është shfaqur edhe një dokumentar për veprimtarinë 20-vjeçare dhe është hapur një ekspozitë fotografish.R.K




