
2010-03-06 - 10:45:19
Pa aleanca në Istog
LDK’ja ka vendosur të garojë në Istog me nënkryetarin e Komunës, Haki Rugova. AAK’ja do të përcaktohet sot mes deputetes Donika Kadaj dhe ish-kandidatit Naim Imeri. PDK’ja po shqyrton mundësinë
e ndërrimit të kandidatit. Ndërsa, ish-partnerët AKR-LDD, do të garojnë ndarazi në Istog
Subjektet më të mëdha politike do të garojnë ndaras në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Istog. Deri tani, vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ishte e para në zgjedhjet e fundit, ka vendosur për kandidatin e saj.
Nënkryetari i LDK’së në Istog dhe i dyti i Komunës, Haki Rugova do të garojë për kryetar komune, pas vdekjes së eprorit të tij, Fadil Ferati.
Tani kur kanë mbetur edhe një muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve në këtë komunë, partitë e tjera vazhdojnë të diskutojnë dhe të shikojnë se me çfarë kandidatësh të sfidojnë LDK’në në Istog.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të marrë sot përgjigjen definitive nga deputetja e saj, Donika Kadaj-Bujupi se a pranon të rikthehet në vendlindje për të synuar kreun e Komunës. Nëse Kadaj-Bujupi nuk pranon të kandidojë, atëherë AAK mbetet me vetëm një alternativë – të rikandidojë Naim Imeri.
Avni Arifi, anëtar i kryesisë së AAK’së, konfirmoi të premten për Express se kandidatët serioz që mund të garojnë nga AAK’ja për kryetar të Istogut janë Donika Kadaj – Bujupi dhe Naim Imeri.
“Nuk do të kemi koalicion me asnjë parti në raundin e parë në këtë komunë, pastaj shohim”, tha Arifi.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës është në kërkim të një kandidati për kryetar të Istogut dhe nëse e gjen do ta zëvendësojë atë me kandidatin e saj të deritashëm Idriz Blakaj.
“Shumë shpejt PDK do të dalë me emrin e kandidatit të saj për këtë komunë. Jemi duke diskutuar ende me degën atje dhe presim të dalim me emër së shpejti”, tha për Express Blerand Stavileci, zëdhënës i PDK’së.
Burime të gazetës brenda kësaj parti, thonë në kushte anonime se Shasivar Haxhiaj është personi mund të marrë vizën nga PDK’ja për të garuar për kryetar të Istogut.
Dy partitë e tjera, Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe Aleanca Kosova e Re kanë vendosur të mos jenë më bashkë për zgjedhjet lokale, duke garuar ndaras në Istog.
Jozyrtarisht mësohet se deputetja e kësaj partie, Rita Hajzeraj, e cila është nga Istogu, nuk e ka pranuar ofertën e partisë për të kandiduar atje, me arsyetimin se tani ajo jeton në Prishtinë. “Në javën e ardhshme edhe AKR’ja do të dalë me kandidat për Istog. Jemi të interesuar të garojmë si parti vetëm në Istog sepse kemi kandidat potencial dhe kështu ne do ta kemi kandidatin tonë për këtë komunë”, tha të premten për Express Ibrahim Makolli, nënkryetar i AKR’së.
Kryesia qendrore e LDD’së ia ka lënë këtë çështje degës së partisë.
“Në LDD kanë arritur disa emra nga dega jonë në Istog dhe janë duke u shqyrtuar. Shumë shpejt do të vendoset për njërin dhe pastaj në fund, sërish është dega ajo që përcaktohet”, tha Sejd Tolaj, anëtar i Kryesisë së LDD’së.
Ndërsa sa i përket mosbashkëpunimit me AKR’në në këto zgjedhje, Tolaj tha se marrëveshja e vitit të kaluar nuk i obligon që edhe në këto zgjedhje të dalin së bashku me një emër.
KQZ ka vendosur që në Istog të ketë dhjetë ditë fushatë zgjedhore, ndërsa më 11 prill është caktuar dita e zgjedhjeve.Nga Valmir Klaiqi




