Italia "humbet" emigrantët për një ditë
Emigrantët i \"mungojnë\" Italisë për një ditë. Mijëra shtetas të huaj që jetojnë dhe punojnë në vend, mbushën dje sheshet e qyteteve më të mëdha të vendit për të treguar se pa ta, Italia mbetet pa forcën e punës.
Mijëra tullumbace të verdha, ngjyra e zgjedhur e këtij manifestimi të madh që zhvillohet njëherazi në Francë, Spanjë dhe Greqi, u lëshuan nga 60 sheshe italiane. Në këtë \"revolucion të verdhë\", siç quhet nga mediat italiane manifestimi, morën pjesë më shumë se 40 mijë vetë. Në Itali aktualisht jetojnë 5 milionë emigrantë, të ardhur nga vende të ndryshme dhe mes tyre ka edhe shumë emigrantë shqiptarë. Manifestimi më i madh u zhvillua në Napoli, ku në sheshin qendror të qytetit u mblodhën rreth 20 mijë vetë. Por në të gjithë vendin janë mijëra emigrantë që morën pjesë në nismën \"24 orë pa ne\", kundër racizmit dhe për të drejtat e emigrantëve që jetojnë në Itali.



